Lypësi në rrugën kah me turr i lshohem ditës

Rrugës për kah i’a lshoj turrin për me u zatet me t’pafundmet gjana që mrujn gurin e rand, qi tash më duhet me e majt si një detyresë nëpër krejt zgjatimin hekakeq të ditës, ma xen nji lypës. Kama e tij e kputun përmidis shtrihet kah hapat e kalimtarëve vërshojnë. Tjetra i rrin e mledhun rreth vedit, tue iu ba si një parvaz, ku ai mshtet shtatin e tij t’krrysun prej viteve dhe mundit.

Nji dru shtreman qi duket si i’a kallxon rrugën prej te shpija e deri këtu, i rrin përbri.

Syt t’përhumbin e t’ujtisun i rrin strukun në zgavrat e thella të kafkës, tue ndjek krejtkend që kalon atypari.

Buzt e pulituna shtërngojnë fort nji fundcigare t’fikun, e ndërsa ashtu t’mbledhuan zoritshëm, shkruejn do brazda qi zgjatojnë t’thella deri kah duket vetëm kur bzan.

Monedhën teme të mëshirës kisha venos, jo me e hedh në trollin ku ai zhagitet, por me e lan n’ata duer t’ashpra e t’plasarituna nga vuejtjet e puna e rand, tue dasht me mylmy ata sy qi shndrisin kur ndokush veç lëmoshës i nep edhe nji cop shpirtdhimje, prej fjals s’tij t’drojshme: “Zoti t’rujt”.

Tue u shterr prej syve t’tij, hupa në poterën e qytetit. Sa ma shumë qi i nepesha ikjes asaj përmendorje të gjallë të së tashmes, aq ma shumë i ndigjoja hapat e tij t’shuem qi më viheshin përmbas. N’tollovië e gjanave u dynduna, si për më dasht me shpëtu prej njasaj ndjesie keqardhjeje.

E vërtete, ika, u harrova për me u kthye, nuk e di se mbas sa kohësh, te ai vend, te ajo skutë.

Burri nuk ishte ma aty. Kishte ik për me met përher njaty ky e kisha pa s’pariherë e ku err e terr strukej në zhgullin e hekakeqit. Shkopi, i ngulun në trotuar prej tij s’mbramiherë kishte mbi, e po rrekej me gjallue në cergën e atij dimni idhnak e shqelmoren e qytetit t’çatrafilisun.

Ika prap, hupa. E nuk i rash ma asaj rruge, i bindun se ai, tue mos mujt me ken ma aty, ishte shndrru në nji patericë qi po rrekej me u ba pem’.

AV

 

Artikuj të ngjashëm