Leonardo da Vinçi, titani i Rilindjes së Artë

Ai i patëdytë në madhështinë e tij, në qasjen e ngulmët për të rrokur përmasat e gjithëdijes e dritëshkëlqimit. Është fjala për Leonardo da Vinçin, i cili lindi më 15 prill 1452 në Ankiano të Vinçit dhe u shua në moshë 67-vjeçare, më 2 maj 1519 në Kështjellën e Kluks të Ambuazit. E ç'nuk ishte ai; piktor, skulptor, shkencëtar vizionar, dijetar, arkitekt, muzikant, matematicien, inxhinier, shpikës, anatomist, gjeolog, hartograf, botanist, dhe shkrimtar. Krejtkund ai shkëlqeu duke mbetur në mbamendjen Rilindjes italiane si i paarritshëm. Bashkë me Mikelanxhelon dhe Raffaelin përbën trininë e shenjtë të Rilindjes së Artë, periudhë e cila solli një shkëputje të hovshme cilësore të mjeteve shprehës, forcës së kumtimit, finesës dhe tonit koloristik.

Gjenialiteti i tij është i pakrahasueshëm, atëditë e sot. Historia e artit nuk ka mundur të na e mëkojë një rast të dytë të atij titani që derdhej në njeriun e kuriozitetit të pashuar dhe imagjinatës së ethshme krijuese. Leonardo është konsideruar si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe ndoshta personi me talentin më të gjithanshëm që ka jetuar ndonjëherë. Shtrirja dhe thellësia e interesave të tij ishin të pa shembullta, mendja dhe personaliteti i tij ishin mbinjerëzor. Ndër veprat e tij, "Mona Liza" është portreti më i famshëm; "Darka e Fundit", piktura më e riprodhuar dhe më debatuar fetare e të gjitha kohërave; vizatimi "Njeriu Vitruvian" konsiderohet si ikonë kulturale. Vetëm 15 nga pikturat e tij kanë mbijetuar, jo se kanë humbur, por shumë prej tyre Leonardo kurrë nuk i përfundoi, ose eksperimentonte me to. Konsiderohet si një nga njerëzit më të talentuar që kanë jetuar, dhe metodat e tij janë të pazakonshme për kohën kur jetoi. Për bashkëkohësit e tij mund të servirje vlerësime të ndryshme, gjeni, të mëdhenj, virtuozë, por Leonardo da Vinçi ishte një mjeshtër.

Albert Vataj

Artikuj të ngjashëm