Kushtrim i zemërlënduarve: “Një piano për qytetin e artit, Shkodrën”!

Një grup artistësh shkodranë, përmes një dalje publike, e cila fatkeqësisht ka mbetur lokale, ka lançuar nismën “Një piano për qytetin e artit”. Ata ftojnë të gjithë sipas mundësive të kontribuojnë në sigurimin e një fondi, i cili do të përdoret për blerjen e një painoforte koncertore, e cila do të vendoset në teatrin “Migjeni”. Më shumë se një iniciativë e artistëve shkodranë, personalitete të vlerave të këtij qyteti, është një thirrje gjaku, një kushtrim i krenarisë shkodrane.

Nevoja për të përtërirë besimin, për të ripozicionuar Shkodrën në promotorin e zhvillimeve kulturore-artistike, e vë vullnetin e artistëve në skalionin e parë të kësaj përpjekje për ndryshim.

Sot ata nuk shtrijnë dorën për të kërkuar para, as lëmoshë, por përmendje prej kësaj kllapie që po çon për nga velja dhe shterimi i vlerave dhe atributeve, me të cilat ne krenohemi. Ata i japin zë ndërgjegjes shkodrane, ftojnë me zë zemre gjithkënd që beson se Shkodra meriton shumë më shumë.

Mungesa e një pianoje profesionale, më shumë se një trazimi që vret në embrion zhvillimin normal të një jete koncertore të këtij qyteti, ajo gërryen vetëdijen e atyre që besojnë se Shkodra siç nxori korifenj në fushën e artit, ka kapacitete dhe energji të lindë dhe të rrisë pasione të fuqishme të përtëritjes dhe promovimeve dinjitoze artistike.

Shkodra, ky qytet, i cili në shekullin XIX kishte aq piano për numër banorësh sa ç’kishte Vjena, Parisi apo Roma, sot ysht artistët në kushtrimoren e thirrjes së gjakut, në nevojën e ngutshme për t’i dhuruar “djepit të kulturës” një piano. Është paradoksale dhe e trishtë njëkohësisht ky mungim. Nëse në vitin 1946, sipas Zef Çunit, në Shkodër kishte rreth 90 piano, sot në vitin 2016 pse duhet t’i mungojë teatrit “Migjeni”, këtij institucioni me një histori 60-vjeçare një instrument i tillë. Një pyetje pa përgjigje, siç janë pa përgjigje edhe shumë pyetje të tjera që gëlojnë në themelet e nevojës së këtij qyteti të ndjehet real në madhështinë e vet historike.

Hapi i parë

Koncerti i Fundvitit, “Ndërmendje”, i cili u zhvillua më datë 29 dhjetor 2015 pranë sallës së Shkollës së Muzikës “Prenkë Jakova“, shënoi edhe fillimin e nismës “Një Piano për Qytetin e Artit”, një fushatë që nis rrugëtimin e mbledhjes së fondeve, me të cilin do të blihet një piano koncertore për teatrin “Migjeni”.

Nga shitjet e biletave të koncertit “Ndërmendje” u përftua fondi prej 109 270 lekë të reja, fond, i cili shënon dhe shumën e parë që mblidhet në kuadrin e kësaj nisme.

Bashkia premton një shumë të konsiderueshme

Bashkia Shkodër, në mbështetje të kërkesave të vazhdueshme të artistëve shkodranë për sigurimin e një pianoforte koncertore, për teatrin “Migjeni”, në projektbuxhetin e vitit 2016 planifikon vënien në dispozicion të një vlere financiare të konsiderueshme.

Gjatë një kontakti që kemi pasur me institucionin e Bashkisë Shkodër për të saktësuar fazën ku ajo ndodhet në finalizimin e fondit të premtuar, na bëhet me dije se projektbuxheti është në proces. Bashkia ka menduar që të parashikojë një zë në këtë projektbuxhet, i cili do t’i bashkëngjitet shumës së mbledhur nga nisma “Një Piano për Qytetin e Artit”.

Shuma financiare akoma nuk është saktësuar, por do të jetë e konsiderueshme. Në momentin që projektbuxheti do të jetë i përfunduar dhe gati për t’u votuar në Këshill Bashkiak, ata premtojnë se do të jenë të hapur për të bërë publike shumën që ka parashikuar ky institucion për këtë nismë.

Mundësia për të kontribuar

Ftesa nuk është e nominuar, por këtij kushtrimi mund t’i përgjigjet gjithkush mundet, gjithkush ndjen se i ka një borxh këtij qyteti, tankush beson në vlerat e pamohueshme të këtij bastioni të kulturës.

Kushdo që është i interesuar, individë, organizata joqeveritare, subjekte shtetërore apo private, të dhurojë një shumë për “Një Piano për Qytetin e Artit”. Ftohen gjithashtu, të gjithë artdashësit, biznesmenët, organizatat, mediat etj., që t’i bashkohen kësaj fushate.

Në çdo bankë të nivelit të dytë, çdo individ ose biznes që ka dëshirën dhe mundësinë për të dhuruar, mund ta bëjë dhurimin pranë numrit të llogarisë së Bashkisë së Shkodrës, duke shënuar “Një Piano për Qytetin e Artit”.

Artikuj të ngjashëm