Erosi, mallkimi i magjishëm i kësaj perëndie të dalldisur

eros

mushtin e buzve tuja kam pi

n'nji dehje t'hyjshme kam lyp paqtim

me shue etjen e zjarmeve që gjaku përpush

n'çdo kandje tanden zemer përplot me e mbush

 

dalldisjen e ngërtheva në hanën lojcake,

hanën e njiksaj mramje bruzëtie,

qi tërbimin e mishtë, n'ty ngërthen

e prushin e yjeve mbi mue ndërzen

 

kridhem në ngazëllim e trandem saora

prej buzëve tuja që magma i farkëton

nëpër diej,

dritëzat e syve që më kafshojnë,

pendët ngjyjnë

e me albatrosin e dëshirimit, dallgëve u turren

 

në kujtesën marroke të perëndimit,

adhës që mramja rrzon mbi liqen

ke mylmye dritëhijet që fërgëllen kjo dlirësi sublime

kjo kandë që rrufeja n'ty ka gdhend

 

ardhun ke prej tjetërkohë

nga tablotë klasike, e kolme dhe hënore

prej një pentagrami, kohë e nji simfonie

ke zdrypë

e në mëkim t’ambëlt, për me derdhun

n'mu t'perëndishmen njerëzore

 

si nji kashore naltsie qi sysh m’asht shterr

krahnori jot valzon tan gulçim

e m’hovet n’mue si një cohë prushi

bardhësinë e tamëlt t’tana breroreve

sot e deri n'amshim

 

shejtnimin kam mbërrit tërbimeve t’gjakut

e njeriu n'mue mish e shpirt,

kjo shtazë e babzitun

shugurimin e hyut ngulmon këtë çast

 

e gjunjëzoreve shterret

tuj dasht me lyp përjetësinë

amshimin që mundet me e gjet vetëm në nji çast

n’atë që e kthen në yll

AV

Artikuj të ngjashëm