At’ Gjergj Fishta gurëthemel i qenësishëm i vetëdijes shqiptare

Me përulësi dhe respek, me përkorje dhe ngulm të epërm shëlbimi në shpirt dhe vullnete, e ngucim me ndërmendje madhështinë dhe gjenialitetit të këtij kolosi të kishës dhe shqiptarizmës, poezisë dhe gjuhës, krejt asaj ngrehine të kijametshme përpjekjesh vetmohuese për me lan nji vepër monumentale atdhetarie.

At' Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike të asaj kohe. Roli dhe kontributi i tij në ato vende ku ai behu si një zë, ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare.

E pamatshme është vepra e tij. Gjithçka që rreket të formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte të pamundur ta përfshinte të gjithin në këtë përqafim dëshmimi. Ai ishte një univers, ishte një rast i përjashtuar nga logjika e krijuesit. I lindur për të qenë një i jashtëzakonshëm, ai e ndërtoi këtë mit, pikërisht atë që na qaset sot në nevojën gjithnjë të pashterrur për ta përvetësuar si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.

Pak njerëz kanë pasur fatin e At Gjergj Fishtës në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime të mëdha duke lënë pas një akt të pashoq krijimi. Pak vite më pas… eshtrat ia derdhën në lumë. Dhe vjen si një gjamë harresa dhe anatema prej diktatutës komuniste. U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Dhe vjen demokracia. Edhe pse i zhvarrosur nga anatema, mohi e harrimi, ende mbeti jo krejt i shpaluar, jo gjithkund i pranuar, jo gjithqysh i këtushëm. E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulur thellë thonjt. E megjithatë ai mundi të rivinte si një vigan, si një zë i fuqishëm, si një e vërtetë e pamohueshme. Ai mundi të rigjente vendin e vet në zemrat që e kishin strukur dhe e mbanin të fshehur.

Artikuj të ngjashëm