Amani, qyteti i bardhë mbi 18 kodra streha mbretërore e kryeqytetit jordanez

Për të përfituar përshtypjen e parë për Amanin , gjëja më e mirë që mund të bësh është të ngjitesh në Xhebel al Kala, mali kështjellë me lartësi 837 metra. Përreth saj mbi 18 kodra është shtrirë në pjesën veri-perëndimore të Jordanit. Qyteti fillimisht u ndërtua mbi 7 kodra, por tani është i shpërndarë mbi një sipërfaqe prej nëntëmbëdhjetë kodrash , secila e njohur si Xhabal apo Tal , që do të thotë mal ose male. Rajonet kryesore të Amanit i marrin emrat e tyre nga kodrat dhe malet mbi të cilat shtrihen. Ngritja e qytetit shënohet nga mali në mal, dhe kjo është nga 620 metra deri në 1100 metra. Kjo lloj ngritjeje duket shumë qartë në rrugët e qytetit që janë shumë të pjerrëta dhe trotuaret anësorë në shumë vende janë kthyer në shkallë.

Historia e monarkëve të një qyteti

Përgjatë historisë së gjatë të tij, Amani ka qenë i populluar nga disa qytetërime. Qytetërimi i parë i regjistruar është gjatë periudhës Neolitike, kur zbulimet arkeologjike në ‘Ain Ghazal treguan prova jo vetëm të një vendbanimi por edhe të një zhvillimi kulturor i cili tregon se një qytetërim i zhvilluar mirë ka banuar në qytetin e asaj kohe. Në shekullin e 13-të përpara Krishtit Amani thirrej me emrin Rabbath Ammon ose Rabat Amon nga Amonitët ashtu siç i referohen dhe Hebrenjtë në Bibël. Më vonë u pushtua nga Asirianët, më pas nga Persianët dhe Maqedonasit. Ptolemeu i II-të i Philadelfus, sundimtari Maqedonas i Egjiptit, e riemërtoi Filadelfia. Qyteti u bë pjesë e mbretërisë Nabatean deri në vitin 106 pas Krishtit kur Filadelfia u vu nën kontrollin Romak dhe u bashkua me Dekapolisin.

Në vitin 321 pas Krishtit, Krishterimi u kthye në fenë kryesore të perandorisë dhe Filadelfia u kthye në një qendër Episkopale në fillim të erës Bizantine. Një nga kishat e kësaj periudhe mund të shihet ende sot në qytetin Kështjellë. Filadelfia u riemërtua Aman gjatë erës Gazës dhe lulëzoi nën Kalifatin e Umajadëve dhe të Abasidëve.

Në vitin 1887 ky qytet ishte veçse një grumbull rrënojash i shkatërruar nga një numër tërmetesh dhe efekte natyrore. Kur Sulltani Otoman vendosi të ndërtojë rrugën hekurudhore që lidhte Damaskun me Medinën shumë gjëra morën drejtim pozitiv për zhvillim në fushën e tregtisë.

Amani mbeti një qytet i vogël gjithsesi deri në vitet 1949 – 1963, kur popullsia u zgjerua në mënyrë të konsiderueshme falë një influksi të refugjatëve nga Palestina. Mbreti i Jordanisë Abdullai i I-rë u vra në vitin 1951 nga një palestinez. Në vitin 1970, Amani ishte sheshi i betejës mes Organizatave çlirimtare Palestineze dhe ushtrisë Jordaneze.

Qyteti vazhdimisht ka pranuar refugjatë nga të rajoni rreth tij shumë herë. Vala e parë e refugjatëve Palestinezë arritën nga Palestina në vitin 1948. Kurse vala e dytë ishte pas 6-ditë luftë në vitin 1967. Një valë e tretë e Palestinezëve dhe Aziatikëve mbërritën nga pjesa Jug –lindore. Refugjatët arritën në Aman nga Kuvajti pas luftës së Gjirit në vitin 1991. Amani ka pësuar një zhvillim shumë të shpejtë sidomos gjatë vitin 2010 nën udhëheqjen e dy Mbretërve Hashemitë. Gjatë 10 viteve të fundit një numër i ri ndërtesash brenda qytetit janë rritur në mënyrë dramatike brenda rajoneve të reja të qytetit të krijuara me rritëm shumë të shpejtë dhe me një shtrirje ritmike.

Kultura dhe Arkitektura

Amani është një nga qytetet më liberale në Lindjen e Mesme dhe në Euroazi. Njihet si qyteti më “perëndimor” në rajon me një kulturë dhe art të zhvilluar. Amani është një qytet me tolerancë në adhurim megjithëse Jordania ka ligje që i detyron si burrat dhe gratë të vishen në një formë të caktuar.

Një qytet ku jetojnë dy besimet, të krishterë dhe myslimanë , Amani është shtëpia e artistëve të ndryshëm, i shkrimtarëve dhe muzikantëve. Ka një numër xhamish dhe kishash në qytet, nga ku më të njohurat janë xhamia e Mbretit Abdullah i I-rë që mund të mbajë rreth 3,000 vetë. Një sërë qendrash kulturore gjithashtu përshkojnë qytetin. Qendra kulturore e Al Husenit e cila mban 30 000 libra dhe planifikon ta dyfishojë këtë numër.

Amani është gjithashtu vend tërheqës për shumë turistë, me shumë pika historike dhe kulturore;

Vendi i Pagëzimit në lumin Jordan, aty ku Gjon Pagëzori pagëzoi Jezusin.

Mali Nebo, vendi ku sipas shënimeve biblike, vdiq Moisiu.

Deti i vdekur me përqindje të lartë kripësie që është kthyer si shtëpia e shumë resorteve pushimi për turistët.

Një qytet i vjetër i Dekapolisit i quajtur Jerash, një nga më të vjetrit të ruajtur nga qytetërimi romak.

Pranë luginës Vadi Al Ser mund të vizitohen rrënojat e Kasr al Abd që i përkasin periudhës helenistike.

Petra, qyteti i gurit një vend mbresëlënës dhe një nga shtatë mrekullitë e botës.

Duhen përmenduar plazhet e mrekullueshme të Akabës dhe porti prej nga ku dilet në detin e Kuq.

Unikale për nga format dhe ngjyrat është formacioni gjeologjik shkëmbor i Vadi Rumit, vetëm gjysëm ore larg Petras. Prej ketu mund të shijohen perëndime të mrekullueshme të diellit.

Irak al Amir – Pallati i skllevërve është një ndërtesë ekspresive dhe unikale që daton si ndërtim i shekullit të dytë përpara Krishtit. I ndërtuar me gurë që peshojnë secili rreth 15-25 ton, kjo ndërtesë dy katëshe ka qenë një monument Helenistik që ka mbijetuar në krah në lumit Jordan.

Pjesa më e madhe e turizmit të Amanit është e fokusuar në pjesën e vjetër të qendrës së qytetit, i cili është përqëndruar rreth tragut tradicional plot ngjyra dhe rreth xhamisë së Mbretit Hysein. Kjo qendër e qytetit e njohur me emrin Balad, është zvogëluar nga rajonet urbane që zhvillohen rreth saj. Pavarësisht ndryshimeve, një pjesë e madhe mbetet në karakterin e vjetër dhe për ata që kërkojnë këtë lloj atmosfere, një tjetër rajon tradicional është edhe Xhabal Aman. Në këtë vend mund të zbulosh muzeume, ndërtime antike, rajone kulturore dhe të shijosh ushqime dhe pije tradicionale.

Kalaja Xhabal al Kala ka qenë e banuar për shekuj me rradhë si një vend i rëndësishëm ushtarak dhe kulturor. Është ndërtuar që në kohët romake dhe bizantine e vazhdon aktivitetin e saj deri në erën islamike. Por nën themelet e saj ka mbetje që datojnë që nga epoka e bronzit. Kështjella gjithashtu është vendi ku ka qëndruar tempulli i Herkulit që mendohet të jetë ndërtuar nga perandori romak Markus Aurelius, nga viti 161-180 para Krishtit, një ndërtim ky i ngjashëm me Tempullin e Artemisisë në Efes.

Duke qenë se Amani i ngjan Romës, sepse është ndërtuar mbi shtatë kodra, ky ishte qyteti i preferuar i ushtarëve dhe i zyrtarëve romakë. Pas forumit Romak qëndron një teatër romak – teatri më i madh në Jordani me hapësirë për 6 000 spektatorë. I ndërtuar mes viteve 138 dhe 161 pas Krishtit nga perandori romak Antonius Pius, në një shpat mali , ai ende përdoret për evenimente sportive dhe kulturore.

Amani është vendi edhe i disa xhamive që janë interesante dhe të veçanta për nga arkitektura edhe pse nuk janë më të njohura se ato të ndërtuara në Stamboll. Njëra prej tyre është Xhamia Abu Dervish që arrin edhe pikën më të lartë të qytetit. Ajo është e mbuluar me një sipërfaqe bardhë e zi që është pamje unikale për Jordaninë, sepse bie në sy edhe nga një distancë e largët. Ndërsa muret janë të ngjyrosura me ngjyra të çelura dhe ngjajnë si sixhade persiane. Ky është qyteti edhe i shumë artizanëve dhe argjendarëve.

Një projekt i ri ndërtimi në Abdali do të transformojë qendrën e Amanit në një vend më të dëshiruar për të investuar.  Ky projekt prej 5 miliard dollarësh do të tërheqë shumë vizitorë me tu përfunduar. Projekti synon të krijojë një qendër administrative dhe biznesi më të dukshme për këtë qytet të shtrirë.

Faza e parë e ndërtimit parashikohet të ketë përfunduar deri në vitin 2012 dhe do nisi faza e dytë për të përfunduar të gjithë projektin rreth vitit 2014 – 2015. Miliona vizitorë priten e përcillen nga Amani çdo vit prej vendeve të ndryshme e sidomos prej vendeve rreth gjirit Persik.

Artikuj të ngjashëm