Alga, insekte dhe mish ‘in vitro’, ja ushqimi i 20 viteve të ardhshme

 

Mish i pasuruar me vitamina në laborator, ushqime të sintetizuara apo alga mund të zëvendësojnë atë që nuk do të mund ta kemi më në mënyrë natyrale

Çmimi i ushqimeve do të rritet në mënyrë galoponte kudo në botë gjatë viteve në vazhdim. Rritja demografike e popullsisë së botës dhe ndryshmet ambientale do ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e ushqimit që jemi duke konsumuar deri më tani.

Të gjithë këta faktorë do të bëjnë, sipas studiuesve, që të ndryshojmë mënyrën se si ushqehemi. Disa studiues, madje, në një raport të publikuar në BBC, profetizojnë edhe për atë se çfarë do të serviret në tavolinat tona në 20 vitet e ardhshme.

Bota perëndimore është mësuar me një ushqim të bollshëm, pohojnë studiuesit, por me kalimin e viteve, për shkak të faktorëve të sipërpërmendur, edhe në këto vende ushqimi do të fillojë të konsiderohet një luks. Kjo do të thotë se në menutë tona do të fillojnë të zënë vend gjëra të çuditshme, që më parë as që na kishte shkuar në mend t’i konsumonim, në mënyrë që të mbushet boshllëku i lënë nga shterimi i burimeve aktuale ushqimore.

Sipas parashikimeve, insektet do t’i shtohen shumë shpejt menuve tona ushqimore, dhe edhe pse në kontinentin e vjetër nuk ka ndonjë dashamirësi të madhe ndaj tyre, duhet të përgatitemi për më të keqen. Sipas asaj të që thonë studiuesit e ushqimeve, ato bëjnë shumë mirë për shëndetin, nuk të shëndoshin dhe kush e di, ndoshta janë edhe të shijshme.

Ekzistojnë 1400 lloj insektesh që mund të shërbejnë fare mirë si ushqim për njeriun dhe të mësuarit me to është thjesht çështje psikologjike, madje studiuesit pohojnë se ato bartin vlera ushqyese më të larta se sa shumë ushqime që ne konsumojmë si p.sh, mishi i kafshëve.

Përveç kësaj insektet janë shumë ekonomike, nuk kërkojnë shumë ushqim dhe nuk ndotin ambientin. Pjesa tjetër e botës i përdor që tani në mënyrë masive si në Afrikë, Japoni, Tajlandë apo Amerikë. Ndërsa sa i përket europianëve, ndoshta do ta kenë disi të vështirë të mësohen me idenë që të konsumojnë p.sh, një hamburger me insekte.

Në kuadër të këtij problemi global, studiuesit holandezë kanë arritur deri aty sa të prodhojnë mish ‘in vitro’ në laboratorë. Ata kanë stimuluar rritjen e indeve muskulore duke përdorur qeliza burimore me origjinë nga gjedhi. Kjo mënyrë jo vetën që do të jetë më pak e kushtueshme, por do të zvogëlojë sasinë e ndotjes dhe duke qenë se në këtë rrugë mishi mund të ‘manipulohet’, ekziston mundësia për ta ‘zhveshur’ nga yndyrnat e tepërta apo mund të shtohen në të përbërës të tjerë të shëndetshëm.

Një tjetër burim i ushqimit në të ardhmen janë edhe algat. Ekzistojnë rreth 10 mijë lloje algash nëpër dete dhe oqeane që mund të kthehen në një burim të sigurt ushqimor si për njerëzit dhe për kafshët.

Artikuj të ngjashëm